Sunday, 24 June 2007
MJAFT! i shkruan Komisionit Europian t'i kerkojë Greqisë të zbatojë standartet e BE
21 qershor 2007Lëvizja MJAFT! është shprehur e indinjuar për video skandalin e rregjistruar në një nga komisiariatet e Athinës, në një letër, që i adresohet Presidentit të Komisionit Europian Jose Manuel Barroso, Komisionerit për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë Franco Frattinit dhe Komisionerit për Zgjerimin Olli Rehn.Duke renditur përvec videos së fundit ku dy emigrantë keqtrajtohen në një komisiariat të Athinës, edhe raste të tjera të keqtrajtimit të emigrantëve shqiptarë në Greqi, MJAFT! u lutet personaliteteve të mësipërme që të dënojnë këto akte si dhe të kërkojnë që, Vendi Anëtar, Greqia, t’i zbatojë standardet e Bashkimit Europian. Në këtë letër, thuhet ndër të tjera se: “Për disa vite me radhë, një nga themelet e përpjekjeve të MJAFT! ka qenë puna për të bindur publikun shqiptar se Integrimi Europian është më shumë sesa thjesht liria e lëvizjes”. “Kemi ndërmarrë fushata për ta njohur opinionin publik në Shqipëri me vlerat e përshkruara në Nenin 6 të Traktatit mbi Bashkimin Evropian (TBE), ku thuhet: “Bashkimi themelohet mbi principin e lirisë, demokracisë, respektit për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe shtetin ligjor, principe të cilat janë të përbashkëta për Vendet Anëtare.” Një përpjekje e tillë është patjetër detyrim yni i përbashkët”, shkruajnë më tej aktivistët e MJAFT! Ndaj, sipas tyre: “Veprime si rrahja dhe poshtërimi i emigrantëve nga ana e policisë greke i vënë në dyshim e i nëpërkëmb këto vlera. Duke rrezikuar kështu edhe përpjekjet e të gjithë aktorëve për ta bindur publikun shqiptar se këto vlera dhe standarde duhet të jenë guri i themelit të rrugës sonë drejt Integrimit Evropian”. ME POSHTE LETRA E PLOTE:Drejtuar:Shkelqesise si Tij, z. Jose Manuel Barroso, President i Komisionit Evropian, Shkelqesise se Tij, z. Franco Frattini, Komisioner Europian per Drejtesine, Lirine dhe Sigurine Shkelqesise se Tij, z. Oli Rehn, Komisioner Europian per Zgjerimin Me anë të kësaj letre të hapur, Lëvizja Mjaft! dëshiron të tërheqë vëmendjen tuaj ndaj incidentit të ditëve të fundit ku dy emigrantë shqiptarë u keqtrajtuan nga anëtarë të forcave policore greke. Videoja e ngjarjes shfaq një polic duke rrahur dy emigrantët dhe duke i detyruar të qëllojnë dhe të fyejnë njëri-tjetrin. Sa herë që ata refuzonin, polici i rrihte me shkop në prani të oficerëve të tjerë. Ky lloj abuzimi dhe poshtërimi i personave të arrestuarve injoron jo vetëm ligjet por edhe parimet dhe vlerat themeltare të Bashkimit Europian. Populli shqiptar ka besim tek Europa dhe të gjithë qytetarët tanë presin me shpresë që të bëhen pjesë e kësaj familje kombesh. Për disa vite me radhë, një nga themelet e përpjekjeve të organizatës sonë ka qenë puna për të bindur publikun shqiptar se Integrimi Europian është më shumë sesa thjesht liria e lëvizjes. Kemi ndërmarrë fushata për ta njohur opinionin publik në Shqipëri me vlerat e përshkruara në Nenin 6 të Traktatit mbi Bashkimin Evropian (TBE), ku thuhet: “Bashkimi themelohet mbi principin e lirisë, demokracisë, respektit për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe shtetin ligjor, principe të cilat janë të përbashkëta për Vendet Anëtare.” Një përpjekje e tillë është patjetër detyrim yni i përbashkët. Veprime si rrahja dhe poshtërimi i emigrantëve nga ana e policisë greke i vënë në dyshim e i nëpërkëmb këto vlera. Duke rrezikuar kështu edhe përpjekjet e të gjithë aktorëve për ta bindur publikun shqiptar se këto vlera dhe standarde duhet të jenë guri i themelit të rrugës sonë drejt Integrimit Evropian. Ky nuk është rasti i parë kur institucionet shtetërore greke kanë kryer akte dhune ndaj qytetarëve shqiptarë. Sipas raportit të Amnesty International dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit, shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut kanë qenë në formën e përdorimit të forcës ndaj shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Greqi në mënyrë të ligjshme ose jo. Përveç dhunës fizike, janë lajmëruar edhe shkalla të tjera shkeljesh së të drejtave të njeriut, në formën e dhunës psikologjike të ushtruar ndaj bashkëkombësve tanë. Mund të përmendim rastin e vrasjes së një 21 vjeçari shqiptar i cili festonte në Greqi fitoren e skuadrës shqiptare kundër skuadrës greke pas ndeshjes së futbollit të zhvilluar në Tiranë, apo videot ku ushtarët grekë këndonin këngë, vargjet e të cilave ishin përshkrime torturash të mundshme fizike ndaj shqiptarëve. Gjatë viteve ka pasur shumë raste të dokumentuara incidentesh, si përdorimi i armëve ndaj shqiptarëve që përpiqeshin të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme. Shumë nga këto raste kanë rezultuar në vdekjen e atyre njerëzve, të cilët, edhe pse ilegalisht, nuk po kalonin vetëm kufirin grek, por kufirin drejt ëndrrës evropiane për një jetë më të mirë. Reagimet e qeverive shqiptare gjatë viteve kanë qenë të zbehta. Duke qenë e ngërthyer mes interesave ekonomike dhe gjeopolitike, dhe mos dashur të trazojë mardhëniet me një vend si Greqia e cila, shpesh herë është kundërpërgjigjur me deportime masive të emigrantëve tanë, qeveritë e ndryshme shqiptare jnaë treguar të pafuqishme në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve të tyre, të shkelura në këtë vend europian. Rrjedhimisht, si qytetarë të këtij vendi dhe si anëtarë të asaj pjese së shoqërisë civile që kërkojnë që Shqipëria të arrijë vlerat dhe standardet evropiane, ju lutemi, Juve personalisht, si dhe Komisionit dhe strukturave të tjera të BE-së të dënoni këto akte, si dhe të kërkoni që, Vendi Anëtar, Greqia, t’i zbatojë standardet e Bashkimit Europian. Kështu, jo vetëm që do t’i tregonit publikut shqiptar se e gjithë Europa është e përkushtuar ndaj vlerave që përcjell, por gjithashtu, do t’i transmetonit këtij një mesazh të qartë se institucionet e BE-së nuk përdorin standarde të ndryshme gjykimi për Vendet Anëtare nga Vendet Jo-Anëtare. Shpresojmë në reagimin tuaj, i cili do të na inkurajonte së tepërmi.SinqerishtSkuadra e MJAFT!
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment